Zagreb, 18 dhjetor 2009 – Zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave Dr. Techn. Blerim Rexha, ka marr pjesë në takimin e shtatë të Këshillit Ndërministror të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE) të mbajtur në Zagreb. Në takim janë diskutuar të arriturat e shteteve nënshkruese të TKE –së si dhe hapat e mëtejmë që duhet ndërmarr drejt përmbushjes së obligimeve që dalin nga ky Traktat.
Në këtë takim zv.ministri Dr. Techn. Blerim Rexha në kuadër të agjendës ka ngritur çështjen kontestuese në mes KOSTT-it të Republikës së Kosovës dhe EMS të Serbisë me ç’rast, ka kërkuar që kjo situatë të zgjidhet sa më parë brenda Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe zgjidhja të jetë korrekte. “ Kërkoj nga shtetet nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë TKE, që në mënyrë të vazhdueshme të punojnë në mënyrë që të zgjidhet kontesti në mes KOSTT-it të Republikës së Kosovës dhe EMS e Serbisë”, ka thënë zv.ministri Rexha, duke shtuar se Republika e Kosovës respektivisht edhe çështjet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike duhet të zgjidhen komfor situatave të reja të krijuara.
Rexha ka shtuar gjithashtu se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të plotësoj direktivat që dalin nga TKE, ku edhe ka shtuar të gjitha angazhimet për të arritur objektivat të cilat Qeveria e Kosovës i ka parashtruar vetës. “ Qeveria e Kosovës shpreh edhe njëherë zotimin e saj për përmbushjen e detyrimeve të TKE-së dhe e përshëndet dhe përkrahë këmbënguljen e Sekretariatit të TKE-së, që të zgjidhin mosmarrëveshjen në mes KOSTT dhe EMS –së.
Në takim ministrat janë pajtuar që kontesti në mes KOSTT dhe EMS, të zgjidhet brenda komunitetit të energjisë dhe se hapat për të arritur deri në një finalizim të tillë duhet të vazhdojnë. Ndryshe, Këshilli i Ministrave ka aprovuar njëzëri dy vendime në lidhje me pranimin e Republikës se Moldavisë dhe Ukrainës në Komunitetin Energjetik.